ekonomi

Nacionalizmi, regjistrimi i popullsisë dhe evolucioni kulturor (pjesa 2 nga 3)

Etjon Basha

2)      Parimi i vetëvendosjes dhe parimi etnik

Frika e shumë prej kritikëve të regjistrimit të popullsisë është se rezultatet do përdoren nga shtetet të treta për të ndryshuar kufijtë e Shqipërisë në favor të tyre. Para se të analizojmë vërtetësinë e këtij pretendimi, duhet të analizojmë teorinë dhe praktikën e vendosjes së kufijve në Evropën bashkëkohore.

“Megalomania është fjalë me origjinë greke” – M.MacMillan (‘idiotësi’ gjithashtu, ama)

Gjatë shekullit të XIX në Evropën Perëndimore nisi të vërehej një ndryshim i theksuar i opinionit të përgjithshëm se ç’përbënte një kufi të drejtë. Gjatë gjithë historisë paraardhëse kufiri quhej i drejtë thjesht sepse egzistonte, pra sepse një palë kishte mundur tjetrën duke vendosur kufirin e përbashkët sa më thellë në territorin armik. Askush nuk kundërshtoi kur Perandoria Osmane pushtoi me dhunën e armëve (ndonëse ka nga ata që pretendojnë se Osmanët kishin në fakt qëllime turistike dhe jo pushtuese :)) popull pas populli në shekullin e XV. Kufijtë e Perandorisë ishin të drejtë sepse Sulltani kishte fuqi ti mbante të nënshtruar popujt që përfshiheshin në Perandori. Po ashtu Osmanët nuk mund të ankoheshin më vonë kur Rusët, Austriakët dhe Egjiptianët e ngushtuan po me dhunën e armëve Perandorinë, dhe u ndalën vetëm prej frikës së luftës me Britanikët dhe Gjermanët. Edhe parimi i së Drejtës Hyjnore ishte thjesht racionalizim i pushtimeve të së kaluarës: e Drejta Hyjnore nuk shpëtoi ndonjë mbretëri nga humbja në fushëbetejë.

Por revolucioni Liberal në Evropën Perëndimore solli dhe një koncept të ri për kufijtë: vetëvendosjen! Lufta për pavarësi e popullit Holandez ndaj Perandorisë Spanjolle shënoi pikën e kthesës. Tashmë nuk mjaftonte më dhuna për të pushtuar vende të reja: miratimi i popullsisë vendase, ose së paku moskundërshtimi aktiv, po bëhej gjithnjë më i rëndësishme. Parimi i përhap aq shumë sa në Kongresin e Vjenës, i mbajtur pas përpunimi të luftërave Napoleonike, Francës (që ishte dukshëm agresori dhe mbajte përgjegjësinë e plotë për dy dekada shkatërrim)  nuk iu shkëput asnjë metër katror nga territoret e saj historike pasi kjo do kishte qenë kundër vetëvendosjes së popullsisë vendase (Kongresi shkeli parimin në raste të tjera ama). Që nga ky kongrese deri në Luftën e Parë botërore asnjë luftë Evropiane nuk ndrysho kufijtë Evropianë kundër parimit të vetëvendosjes, por vetëm në mbështetje të tij, në vija të përgjithshme.

Koncepti u eksportua dhe Evropën qendrore dhe lindore, por i transformuar. Në lindjen etnikisht jo homogjene parimi i vetëvendosjes u kthye në parimin etnik: kufijtë e shtetit duhet të përputhen me kufijtë e kombit, me hir ose pahir. Gjithë hungarezët duhet të jetojnë në shtetin Hungarez, gjithë Shqiptarët në Shqipëri.

Por parimi etnik ndryshon thellësisht nga parimi i vetëvendosjes. Sipas parimit etnik Zvicera shumetnike duhet të ndahet mes Francës, Italisë dhe Gjermanisë, ndonëse zviceranët nuk do e pranonin kurrë këtë. Ndarja e Zvicerës, ose e Belgjikës mes Hollandës dhe Francës, do kënaqte parimin etnik por jo atë të vetëvendosjes. (sigurisht ithtarët e parimit etnik shpëtojnë nga këto situata duke krijuar konceptin fantastik të një ‘kombi’ zviceran ose belg. Po kur të ndahet Belgjika, do krijohen kombet valone dhe flamande? ).

Sipas parimit etnik kjo hartë duhet censuruar ose Zvicera duhet zhdukur

Nacionalizmi shqiptar, si gjithë lëvizjet nacionaliste lindore, sillet rreth parimit etnik. Parimi i vetëvendosjes duket se ka humbur tërësisht, pasi dhe perëndimi e ka braktisur atë në emër të politikës së ndryshimit unanim të kufijve (që ka gjasa të jetë politika më e keqe e mundshme). Dhe është pikërisht obsesioni me këtë parim, dhe injorimi tërësor i parimit të vetëvendosjes, që qëndron në thelb të paranojës ndaj regjistrimit etnik dhe fetar.

3) “Ç’do ndodhë nëse në Shqipëri do rezultojnë 100’000 ‘grekë’?”

Çdo debat mbi regjistrimin etnik dhe fetar ngec tek kjo pyetje herët ose vonë. Kritikët nuk vonojnë ta përdorin këtë skenar apokaliptik për të dënuar me heshtje mbështetësit e regjistrimit. Çdo herë që shtrohet kjo pyetje, përgjigja vjen e mefshtë dhe e tërhequr, në vijat e ‘një gjë e tillë nuk do ndodhte kurrë”, etj.  Edhe unë bashkohem me ata që mendojnë që asgjë e tillë nuk do rezultojë nga regjitrimi dhe në fakt skenari është tejet jo-probabël.

Por le të supozojmë se realisht nga regjistrimi etnik dhe fetar realisht rezulton një numër i rritur i atyre që vetëshpallen me etni greke dhe fe ortodokse. Ç’do ndodhë?

Absolutisht asgjë! Kufiri Shqiptar nuk do lëvizë me një metër!

Arsyeja është e thjeshtë: parimi i vetëvendosjes – dhe vetëm ai – mund ta mbrojë Shqipërinë nga një skenar i tillë apokaliptik.

Nëse si pasojë e regjistrimit rezulton një përqindje e tillë e lartë ‘minoritarësh’, mund ta marrim të mirëqenë që Greqia me patjetër do kërkojë një autonomi të gjerë të rajoneve në fjalë si prelud i planeve të mëtejshme. Si do mund ta kundërshtojë këtë kërkesë qeveria Shqiptare duke pasur “numrat kundër”?

Kryeministri (ose kushdo do tregojë pak inteligjencë në një situatë të tillë) shumë thjesht mund të mbrohet: “Këta qytetarë, ndonëse sot shpallen grekë janë mjaft të kënaqur teksa jetojnë në paqe në Republikën e Shqipërisë. Askush nuk ka të drejtë ti shkëpusë ata me dhunë nga vendi besnikë ndaj të cilit ata ndihen: Shqipërisë! Le të vendosin me referendum pra nëse dëshirojnë të shkëputen nga bashkëqytetarët e tyre”.

Referendumi do ridëshmonte dëshirën për të qëndruar në Shqipëri, dhe me kaq e tërë kjo punë do merrte fund në çast dhe një herë e mirë. Greqia, apo cilido shtet tjetër, nuk do kish kapital moral për të vepruar me dhunë për shkëputjen e territoreve që nuk duan ti bashkohen asaj: një veprim i tillë do shihej me të drejtë si agresion, siç do dukej një sulm gjermano-francez ndaj Zvicerës.

Por çdo ndodhte nëse në fakt referendumi do rezultonte pro ndarjes? Në këtë rast, banorët nuk kanë nevojë për regjistrimin etnik për tu shkëputur. Mjafton të organizojnë që nesër një referendum mbi këtë çështje. Referendumi do pengohej ne çdo mënyrë, sigurisht, por nëse realisht nën komunitet i dhënë në Shqipëri apo kudo tjetër vendos për ndarje dhe e bën këtë vullnet të ditur botërisht, është vetëm çështje kohe para se shkëputja të ndodhë.

Shqiptarët i vendosën Serbët në fillim të viteve ’90 para kësaj dileme mbarë bota u njoh me dëshirën e tyre unanime për ndarje. Evropa e shekullit të XIX do kish vepruar në çast, asaj të shekullit të XX iu deshën masakrat serbe dhe nxitja amerikane, por sërish është e  qartë që nda çasti që një komunitet është i vendosur të ndjekë rrugën e ndarjes dhe të përballojë sakrificat e nevojshme, suksesi është çështje kohe.

Kështu pra, nëse realisht nacionalistët i druhen egzistencës brenda kufijve Shqiptarë të një komuniteti të qenësishëm që kërkon ndarjen, është çështje kohe para se ata t’ia arrijnë qëllimit. Regjistrimi nuk do ndryshojë asgjë në këtë mes, dhe e vetmja zgjidhje që do i mbetej qeverise sonë do ishte dalja me nder dhe kokën lart, apo në turp dhe me gjak në duar nga kjo histori.

Shumëkush mund të tmerrohet nga skenari i mësipërm. Unë sërish përsëris që nuk kam dyshimin më të vogël që asgjë e tillë nuk do ndodhë: nëse komunitet të tilla që digjen për tu shkëputur do gjendeshin me të vërtetë, do qenë ndarë me kohë, kur vendi kalonte kriza të thella, dhe jo sot kur situata është shumë më optimiste. Por edhe nëse ndodh që një referendum lokal të kërkojë ndarjen, besoj se gjithkush do bie dakord që nuk do jetë faj i regjistrimit.

Kështu pra, skenari ogurzi i zvogëlimit të Shqipërisë nuk mund të rezultojë në asnjë rast nga asnjë prej rezultateve të mundshme të regjistrimit. Çfarëdo të ligash të nënkuptojë ky proces në fusha të tjera (dhe si çdo proçes shtetëror, ka plot), cenimi i tërësisë territoriale të vendit nuk është një prej tyre.

Pjesa 1

Pjesa 3