ekonomi

Një shembull i rëndomtë i arbitraritetit të pushtetit bashkëkohor

1.jpg

 

Para pak ditësh edhe autorit tuaj të dashur i erdhi radha për të kaluar automjetin nëpër ritualin vjetor të kontrollit të detyrueshëm teknik. Ndonëse prova u kalua me sukses, çka me jep të drejtën të përdor mjetin tim edhe për një vit, mendoni panikun që më ngërtheu kur lexova lajmin pas së cilit qeveria kishte shtrënguar standardet e emetimit të grimcave në të tillë masë që mendohet që deri dhe 80% e automjeteve që sot qarkullojë në Shqipëri nuk do ta kalonin dot kontrollin teknik.

2.jpg

Po ato ditë, rastisa në një reportazh që përshkruante një problem të ngjashëm në një vend të zhvilluar, Francë. Në Paris gjithashtu ishte vendosur të kufizohej qarkullimi i mjeteve “të vjetra” në rrugë të caktuara rreth qendrës, çka brenda ditës i krijoi probleme të mëdha dhjetëra mijëra individëve dhe bizneseve, të cilëve su mbeste veçse ti ankoheshin pafuqishëm gazetarëve.

Këto dy raste paralele shërbejnë si shembuj të përsosur për të ilustruar se sa të pandjeshme ndaj interesit real publik janë qeveritë e shekullit tonë.

Ndonëse fshihen pas retorikës së ndritur të mbrojtjes së mjedisit e të tjera teorive si këto, qeverive tona të dashura as që u shkon ndonjë çast nëpër mend të maksimizojnë realisht mirëqenien e qytetarëve që kanë nën hyqëm, si në Shqipëri ashtu edhe në Francë. Në rastin më të mirë, vërtetë besojnë me bindje naive teoritë që propagandojnë vetë mbi dëmet e mëdha që sjell aksh karburant në mjedis, pa u shqetësuar asnjë çast për ndonjë konsideratë tjetër. Në rastin e ndërmjetëm, ndihmojnë dy-tri korporata prodhuese të mjeteve, duke detyruar gjysmën e popullsisë të zëvendësojë përtej mundësive ekonomike mjetet e tyre me modele më të reja. Në rastin më të keq, elitat tona po angazhohen në luftë ndaj automjeteve private, luftë që dita-ditës behet më e ashpër e merr trajta të reja.

1
Por do vendosim TGV kryq e tërthor Shqipërisë, mos kini merak

Cilado qoftë e vërteta, kjo gjendje na është bërë aq e zakonshme sa, si peshku që rrethohet nga uji, as e vëmë re fare.

Le përpiqemi të përfytyrojmë si do qe sjellë një qeveri që vërtetë do shqetësohej për mirëqenien e përgjithshme. Le të themi që një qeverie të saktë i është mbushur mëndja që mjetet e vjetra që qarkullojnë rëndom në Shqipëri dhe, me sa duket, edhe në Perëndim, vërtetë na lëshuakan grimca të dëmshme në të tilla përqendrime që cenuakan rëndë shëndetin afatgjatë të qytetarëve (le të anashkalojmë analizën tejet të ndërlikuar e të paqartë teorikisht të marrjes në konsideratë të vlerës më të ulët të jetës në vendet më të varfra në krahasim me ato më të pasura).

Ky vërtetë është një pretendim tejet i dyshimtë, pasi në mjetet e sotme (lexo, të prodhuara pas viteve ’70) janë zbatuar me kohë të tilla masa anti-ndotje (të tilla si marmita katalitike, përmirësimi i cilësisë së karburanteve, etj.) që çdo përmirësim tashmë nuk mund të jetë veçse margjinal: shumica dërrmuese e punës është bërë tashmë. Mirëpo le të anashkalojmë edhe këtë pikë, e ti marrim si të mirëqena pretendimet e përditshme që mjetet e para 2000-shit na qenkan vërtetë fabrika kancerogjene lëvizëse.

Një qeveri kompetente dhe mirëdashëse sërish nuk do vepronte siç rëndom veprojnë elitat tona. Përkundër, do merrte masa graduale si më poshtë.

Së pari, do shpallte një afat të afërt (le të themi, brenda tre deri gjashtë muajsh) pas së cilit asnjë automjet i prodhuar para një date të caktuar nuk do hynte dot më në Shqipëri. Një afat i dytë, i shtyrë edhe me disa muaj të tjerë, do vendosej pas së cilit asnjë automjet i tillë nuk do mund të regjistrohej më nga fillimi.

Këto masa do ndalnin prurjet e reja të automjeteve të padëshiruara, por pa shkaktuar probleme të tepërta për qytetarët që do kishin kohë të bollshme ti përshtateshin masave të reja. Do mbetej për tu zgjidhur veçse problemi i mjeteve që tashmë qarkullojnë në Shqipëri.

Kështu, së dyti, qeveria do niste ti blinte, vetë ose përmes palëve të treta, këto mjete nga tregu i brendshëm. Duke i shkrirë, shitur për skrap apo shitur në vende të treta, sipas leverdisë më të madhe ekonomike, në kohë numri i tyre do binte, deri në zhdukje finale. Blerja do qe në treg të hapur dhe jo sipas stilit të zakonshëm të shpronësimit me kompensim “për të mirën publike”. Për të shmangur rritjen tej mase të çmimeve nga pronarët që do e kuptonin që qeveria interesohej për të blerë mjetet e tyre, ky operacion do duhej zgjatur në disa vite, si për të ulur koston vjetore, ashtu dhe për të rritur presionin e kohës në formën e rënies së natyrshme të gjendes teknike të mjeteve. Ndonëse nuk ka shumë gjasa që 100% e mjeteve të blihen, një shumicë dërrmuese sërish do nxirren lehtë nga qarkullimi, duke lënë një grusht të vogël që mund të lihet pa problem të qarkullojë deri sa të ketë fuqi motori. Efekti në masën e lëshimit të grimcave, që është dhe qëllimi kryesor i qeverisë, do qe sidoqoftë maksimal.

Këto masa, ndofta të kombinuara me shtrëngimin gradual e me vonesë në vite të standardeve të kontrollit teknik, do mundësonin një dalje graduale të këtyre mjeteve nga qarkullimi, më shpejtë nga çdo kishin dalë vetiu nga qarkullimi por me kosto pakrahasimisht më të ulët për pronarët e tyre në krahasim me metodat e sotme.

Vini re në fakt ndryshimin themelor mes teknikës së “tekës legjislative” aq të parapëlqyer në ditët tona, kur qeveritë me një të rënë të lapsit i sjellin humbje të mëdha e krejtësisht të paparashikuara financiare qindra mijëra qytetareve (madje shpesh herë pjesës më të varfër të shoqërisë) dhe metodës së mësipërme, pas së cilës koston e këtij kalimi e mban qeveria dhe jo pronarët e mjeteve.

Tani, si liberalë nuk ka lejohet ta marrim tepër seriozisht dallimin mes qytetarëve dhe qeverisë. Çdo kosto që paguhet nga shteti i kalohet, në fund të fundit, taksapaguesve. Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë që vendimi për të nxjerrë jashtë qarkullimit (de facto apo de jure) mjetet e vjetra merret nga qeveria që, në mos është zgjedhur, së paku tolerohet gjerësisht nga shumica e qytetarëve. Është më se e drejtë që kostoja e këtij vendimi pra të mbahet nga taksapaguesit që, në mënyrë indirekte, e kanë marrë atë e jo vetëm nga pronarët e mjeteve të vjetra, të cilët thjesht patën fatin e keq e të mos qenit në gjendje të blejnë një mjet më të ri.

Gjithashtu vini re se si, në kushtet kur qeverive të sotme nuk u duhet të mbajnë asnjë pjesë të kostove të vendimeve të tyre shpeshherë naive, korruptive apo thjesht idiote, shumëfishohen lehtë vendimet naive, korruptive dhe idiote. Në kushtet kur, përkundër, kostoja e këtyre eksperimenteve sociale do përballohej nga buxheti, çuditërisht do shihnim sesi “ekspertët” do të rimendoheshin e do zbulonin që mjetet e vjetra nuk na qenkan edhe aq vdekjeprurëse në fund të fundit. Fundja Franca nuk zbatonte standarde të tilla të skajshme teknike në vitet kur produktiviteti i saj i punës që në nivelet ku është sot në Shqipëri. Por si brenda vendeve, ashtu dhe mes tyre, i takon rëndom më të varfërve të mbajnë koston më të lartë nga këto vendime arbitrare.

Shkurt pra, një qeveri e drejtë (aq sa mund të jetë cilado qeveri) mban vetë përsipër koston e vendimeve të veta, dhe nuk ia shkarkon atë pa u menduar dy herë klasave më të varfra të cilat vetë nuk do e kishin pranuar kurrë vetiu këtë vendim.

Që sot jemi mësuar aq shumë me një abuzim të tillë pushteti, si në Tiranë ashtu dhe Paris, sa nuk na shkon ndër mend të pretendojmë që ka një rrugë tjetër, më të drejtë, për ta shpërndarë koston e tekave mjedisore aq në modë në ditët tona, tregon veçse sa shumë është dobësuar fryma liberale, e zëvëndësuar nga arbitrariteti i rëndomtë.