Për një reformë reale të pensioneve (pjesa 3 nga 3)

Etjon Basha

(vijon nga pjesa e dytë)

Dy kundërshti mund të ngrihen ndaj skemës që propozova më sipër.

Së pari, është e qartë që sa kohë besojnë që diçka e tillë mund të zbatohet pa ndonjë stres të madh në buxhet, një shumicë e madhe  e qytetarëve shqiptarë (që janë pashmangshmërish etatistë) do e mirëprisnin krahëhapur një sistem të tillë pensionesh, i cili ka gjithë tiparet e skemave të panumërta të rishpërndarjes të pasurisë dhe asnjë nga tiparet e skemave që ofrohen rëndom në tregun privat.

Por si mundemi ne që e mbajmë vetëm për liberalë të mëdhenj, të propozojmë skema të tilla etatsite e majtiste? Mos vallë kemi flakur tutje idetë tona në favor të demokracisë sociale apo ndonjë sistemi të tillë po aq qesharak shtetëror?

Apo jo?
Apo jo?

Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Skema që propozohet këtu është, thjesht, alternativa më e mirë nga pikëpamja liberale që mund të zbatohet në realitet sot për sot. Fakti është që shqiptarët janë dashuruar marrëzisht më konceptin (në mos praktikën) e shtetit paternalist që i udhëheq në çdo vendim të jetës duke u hequr nga supet barrën e rëndë të përgjegjësisë vetjake. Të sillesh sikur kjo preferencë nuk ekziston është naive për çdo liberal.

Edhe sikur magjikisht nesër të vinte në pushet një qeveri me bindje të forta liberale dhe kjo qeveri jo më pak magjikisht të arrinte të ndërmerrte çdo reformë që do i shkonte për shtat ideologjisë së saj, shqiptarët nuk do ktheheshin brenda ditës në një komb me bindje liberale. Anketë pas ankete ka vërtetuar që edhe qytetarët e qytet-shteteve që prej dy dekadash shpallen si më liberalet në botë, Hong Kongu dhe Singapori, vijojnë të jenë tejet etatistë në mendësi, pavarësisht përvojës pozitive nën qeveritë e tyre relativisht liberale. Ç’mund të presim, në këto kushte, nga Shqiptarët?

Kështu, e vetmja gjë që ndodh nëse do injoroheshin tërësisht preferencat etatistë të shqiptarëve do qe akumulimi i mërisë që do shpërthente, herët a vonë në mënyrë të ashpër në kanale zgjedhore apo dhe të dhunshme. Shqipëria i ka përjetuar të dy këto modalitete shpërthimi etatist në dy dekadat e fundit.

1

Praktika më e mirë për një vend që aspiron të adoptojë sa më shumë nga programi liberal të mundet është që të krijojë një sistem shumë bazik “social” në pikat kyçe ku opinioni publik ndihet më i prekshëm (pensionet, shëndetësia, arsimi) të tillë që ai edhe të kënaqë preferencat e përgjithshme por dhe te jetë sa më i “lehtë” për ekonomë në përgjithësi. Të kënaqur me shtetin e tyre të dashur social në këto pika, qytetarët edhe mund të toleronin liberalizmin në ekonominë e gjerë.

Këtë praktikë e kanë ndjekur me sukses vende si Danimarka dhe disi më pak Suedia, të cilat ngarkojnë taksa të larta dhe kanë sektorë shtetërorë të fryrë por kanë një barrë rregullatore tejet të lehtë dhe janë në përgjithësi ndër vendet më mbështetëse të biznesit në botë. Ka nga ata që thonë që, me përjashtim të taksave dhe shpenzimeve shtetërore, është më e lehët të bësh biznes në Danimarkë se në Hong Kong.

Sistemi i sigurimeve shoqërore që propozojmë këtu është pikërisht një skemë e tillë që, ndonëse ngjan shumë etatsite në teori, me shumë gjasa do rezultojë tejet racionale dhe pa shumë kosto në praktikë. Një rritje  TVSh-së me 5% është një çmim i vogël për tu paguar për të eliminuar një ngarkesë të madhe për tregun e punës që pengon dhjetëra mijëra të papunë të përfitojnë paga më të larta.

Ky sistem është tejet i parashikueshëm për çdo pensionist pasi nuk i nënshtrohet lojës së përditshme zgjedhore të grupeve të interesit që logojnë për rritje pensionesh, por është një skemë  e sheshtë ku secili merr po të njëjtin pension. Kushdo e gjykon që shuma që ofrohet nuk do mjaftojë për nevojat e tij do mund të shtojë vetiu dhe pa ndërhyrjen shtetërore një pension privat mbi këtë skemë, pa pasur nevojë për sisteme të ndërlikuara “integrimi” mes skemave private e publike që më shumë ngatërrojnë qytetarët dhe korporatizojnë tregun privat të pensioneve sesa realisht ndihmojnë ndokënd.

Kundërshtia e dytë është disi më praktike: kush na siguron që një skemë e tillë, edhe po të zbatohej, do mbijetonte dot gjatë? Fundja, pamë në pjesën e parë të këtij shkrimi se si edhe skemat investuese e kanë të vështirë të mbijetojnë nën presionin e politikës. Si mund të mendojmë që kjo skemë do performonte më mirë?

Fakti është që një skemë ku çdo qytetar përfiton të njëjtin pension mujor pavarësisht viteve të punës, kontributeve, vështirësisë, etj. do jetë shumë e vështirë për çdo qeveri që të ndryshohej në një version ku aksh grup  nis të përfitojë pagesa më të mëdha. Nga çasti që lidhja mes pagës dhe pensionit thyhet me eliminimin e kontributeve mujore, do jetë e vështirë të justifikohet se pse aksh profesion paska nevojë për pensione më të larta në kushtet kur mbi pensionin shtetëror kushdo mund të shtojë sa pension privat është i gatshëm të blejë.

Dhe sa kohë që pensioni është uniform dhe paguhet për qindra mijëra qytetarë çdo muaj, çdo rritje, sado e vogël, sjell kosto shumë të mëdha në buxhet. Në fakt, edhe në skemën tonë do mjaftonte ndryshimi i pensionit mujor prej 19’000 lekësh në 20’000 lekë (një rritje prej vetëm 5%) për ta nxjerrë edhe ketë skemë me deficit.  Kështu që një sistem ku gjithë popullsia në moshë pensioni (dhe jo vetëm ata që kanë “kontribuar”) përfiton pagesa uniforme mujore është edhe nga këndvështrimi fiskal tejet i vështirë për tu ndryshuar, pra tejet i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm për qytetarët.

Megjithatë, për ti shtuar një masë tjetër sigurie një skeme të tillë, do qe e udhës që të gjitha të dhënat që disponon Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbi historikun e punësimit të qytetarëve shqiptarë të shkatërroheshin në çastin e zbatimit të reformës që propozohet këtu.

He he...
He he…

Në këtë mënyrë, një qeveri që do donte të ringinte një sistem të bazuar mbi “kontributet” do e kishte të pamundur të gjente të dhënat e domosdoshme. Edhe nëse këto të dhëna do fillonin të mblidheshin rishtazi, do të duheshin së paku dy dekada para se kontribuuesit e parë të dilnin në moshë pensioni. Në praktikë, shkatërrimi të dhënave egzistuese mbi kontributet do eliminonte çdo gjasë që një skemë e tillë universale të ndryshohej në të ardhmen.

Skema që propozova në këtë seri shkrimesh është vetëm një anë e një “kompromisi të madh” që mund dhe duhet të lidhet mes liberalizmit dhe mendësisë etatiste të shqiptarit mesatar. Nëse do orvaten të luftojnë drejtpërdrejtë këtë mendësi, ithtarët e lirisë vetjake do humbasin me siguri betejën. Përkundër, shqiptarët duhet të ndjekin këshillën e Bardhylit i cili sjell shembullin e reformave të mëdha ekonomike në Gjermaninë e pasluftës që krijuan atë që njihet si sistemi Social i Tregut.

Pikërisht duke kombinuar një sërë koncesionesh ndaj shtetit social, sa kohë këto koncesione menaxhohen në mënyrë të tillë që nuk rëndojnë me tepri mbi buxhetin dhe aftësinë llogaritëse të individëve dhe biznesit privat, do mund të shkarkohet presioni i madh etatist në Shqipëri duke lejuar ndërmarrjen e reformave të qenësishme liberale.  Nëse këto skema do kombinoheshin dhe me modelin e zonave të veçanta ekonomike që gjithashtu synon të arrijë kompromis mes liberalizmit dhe paternalizmit social, gjasat janë që shoqëria shqiptare do toleronte masën maksimale të tregut të lirë që mund të arrihet në kushtet e sotme.

2 thoughts on “Për një reformë reale të pensioneve (pjesa 3 nga 3)

  1. Shume perfundim i mire, Etjon. Liberalet duhet te zgjohen e ta kuptojne qe ka dallim te madh ne mes asaj qe eshte bindese dhe asaj qe eshte e drejte. Per fat te keq, gjerat qe i bindin shumicen ne Shqiperi, Kosove, e ne bote jane idete kryesisht etatiste e majtiste. Ne afat te gjate, aplikimi i ideve liberale mund te ndodhe vetem me koncesione te tilla te cilat i zbusin presionet etatiste pa e renduar sistemin ekonomik.

Leave a Reply