Pjesa IV: Taksa fikse për frymë

Etjon Basha

(vijon nga pjesa iii)

Një formë takse që nuk përputhet me ndarjen e gjerë në tatime të ardhurash-tatime kapitali që përdorëm në këtë seri shkrimesh, por që megjithatë vlerësohet fort në shumë qarqe liberale është taksa fikse për frymë. Pas kësaj skeme, qeveria shpall një shumë fikse vjetore (apo mujore) që çdo qytetar ose rezident në moshë madhore duhet të paguajë. Shuma nuk ndryshon pavarësisht pasurisë vetjake të personit, ndonëse me raste shtohet që norma tatimore do mund të ndryshonte në varësi të zonave të caktuara të banimit, për të kompensuar qeverinë për koston e ndryshme të shërbimeve të saj në varësi të vendbanimit.

Argumentimi pas kësaj takse është i thjeshtë: tatimi fiks nuk shtrembëron thuajse fare tregun, dhe në ketë këndvështrim qëndron edhe më lart se TVVPP-ja. Thuajse asnjë veprim i tatimpaguesit nuk e ndryshon dot shumën që duhet paguar, çka siguron që, ndryshe nga çdo tatim tjetër i diskutuar më sipër, taksa fikse të mos sjellë nxitje negative tek puna. Më tej, taksa fikse është norma, dhe jo përjashtimi, për shumë shërbime private në treg. Siç kemi cikur dhe më parë, askush nuk paguan bukën në varësi të të ardhurave, por gjithnjë me çmim të njëjtë. Sa kohë që shteti nuk ësh gjë tjetër veçse një shoqëri (e stërmadhe)  shërbimesh, përse të mos sillet si shumica e shoqërive të tjera në treg?

Problemi me këtë tatim është që, ndonëse ai funksionon shumë mirë për financimin e shumicës së funksioneve që shteti pritet të kryejë sot për sot, asnjë prej këtyre funksioneve nuk duhet të kryhet nga shteti!

Ndonëse edhe liberalët më të bindur (sa kohë nuk i përkasin rrymës anarkiste) do binin dakord që detyrë thelbësore e shtetit minimal do qe mbrojta e pronës vetjake mes forcave policore, ushtarake dhe sistemit gjyqësor, egziston një literaturë e gjerë që argumenton që këto janë veçse funksione dytësore që çdo shoqëri private do mund ti ofronte shumë herë më lirë dhe mirë. Për këto funksione, një tatim fiks do shërbente mirë, por privatizimi i plotë (ndonëse gradual) do shërbente edhe më mirë.

Funksioni real i shtetit është ai i pronarit të një territori optimalisht (jo pafundësisht)  të gjerë. Nga këto pozita, shtetit i lind mundësia për të maksimizuar vlerën e pronës së tij shumë më efektivisht se një tërësi pronarësh më të  vegjël. Në përmbushjen e këtij funksioni, një taksë fikse për banor do qe shumë inefektive, duke eliminuar një pjesë të mirë të mekanizmit që nxit ndërmarrjen e veprimeve që maksimizojnë vlerën totale të pronës.

Më tej, një taksë fikse për frymë as që do i lejonte shtetit të kuptonte se cilat veprime shtojën vlerën totale të tokës. Në një kuptim të zbutur mund të themi që taksa fikse qëndron ndaj TVVPP-së në ato raporte që pronësia publike e mjeteve të prodhimit qëndron ndaj pronësisë private: heq si nxitjen ashtu dhe aftësinë për të menaxhuar racionalisht kapitalin në shoqëri. Ato shërbime për të cilat kjo taksë është fort e përshtatshme do mund të ofroheshin fare lehtë pavarësisht shtetit, ose së shumti nga nënkontraktues privatë.

Këtu duhet të përmbyllet kjo seri mbi tatimet. Sigurisht që nuk kemi si të bindemi që format e tatimit të diskutuara më sipër janë të vetmet që mund të përfytyrohen. Një botë të ndarë në mijëra qytet-shtete do maksimizonte presionin për të zbuluar format më efektive të tatimit, me gjithë gjasat forma tërësisht të reja e të paparashikueshme sot për sot.

Megjithatë, bota sot është kjo që është, dhe nuk kemi si ti shmangemi një analize të formave të ndryshme tatimore me argumentin se një treg shtetesh nesër do mund të gjente forma dukshëm më të mira. Gjithashtu, as konstatimi se barra totale fiskale shpeshherë (por jo gjithnjë) është më e rëndësishme se forma e tatimit nuk na çliron nga kjo analizë: fakti mbetet që e njëjta barrë tatimore mund të shpërndahet me forma të ndryshme tatimi.

Për shembull, në kushtet kur gjithë të ardhurat tatimore të mbledhura sipas buxhetit të 2012-ës do mund të qenë mbledhur dhe vetëm me një TVSh universale prej 30-35% (duke llogaritur një farë rritje për të kompensuar shmangien tatimore që lind vetiu nga rritja e tarifave), lind detyrimi për tu shprehur në favor apo kundër propozimeve të tilla.

Dhe duket relativisht e qartë që Tatimi mbi Vlerën e Vetëshpallur të Pasurisë së Paluajtshme shtrembëron minimalisht tregun, kushton fare pak për tu vjelë, lejon privatësi të plotë financiare, ndihmon dukshëm në zgjidhjen e ngërçit pronësor në Shqipëri, na lejon të forcojmë Qarqet si dhe i jep shtetit nxitje për të maksimizuar stokun e kapitalit në shoqëri dhe për të ndërmarrë vetëm ato projekte që realisht risin vlerën totale në treg të territorit. Vështirë të mund të kërkohet diçka më shumë nga një sistem tatimor, më së paku sot për sot.

6 thoughts on “Pjesa IV: Taksa fikse për frymë

  1. Analize e thelle dhe shume e mireseardhur ne kohen kur po diskutohet kjo ceshtje ne mase ne Shqiperi. Me duhet kohe t’i absorboj propozimet. Deri me tani, taksa per koke banori (per fryme) me duket me e drejta sepse sic thua ti i imiton blerjet ne treg. Nuk pajtohem me kritiken (problemin) tende te pare, meqe ajo vlen per te gjitha normat dhe format e tatimit. Kritika e dyte me duket se po ia rendon detyren e maksimizimit te vleres se prones sistemit te tatimeve me shume se sa veprimeve vetanake te individeve.

    Une mendoj qe problemi me i madh me kete lloj te tatimit do ishte paknaqesia shoqerore per te paguar te gjithe shume te njejte: p.sh. 50 euro ne muaj si per nje te ri 18-vjecar te papune si per nje milioner 60-vjecar. Ne kete pike do duhej te bindeshin njerezit qe e njejta vlen edhe per blerjet ne treg per shkak se sherbimet do ofroheshin ne menyre pak-a-shume(!) te barabarte. Gjithashtu, argumente shtese do mund te beheshin duke krahasuar sistemin e tanishem i cili sigurisht kushton me shume se 50 euro ne muaj per nje 18-vjecar por qe nuk verehet aq shume.

  2. Faleminderit per komentet! Ne shkrim kam perpjekur ti trajtoj tatimet me shume si ceshtje eficence e jo drejtesie. Kjo jo sepse drejtesia nuk ka interes (ne te kundert!) por sepse nuk besoj se mund te percaktohet drejtesia e ndonje tatimi ne vakum, pa marre parasysh drejtesine e marredhenies me te gjere mes qytetarit (klientit) dhe shtetit/shoqerise se sherbimeve. Pra, me shume se drejtesia e formave individuale te tatimit, jam perpjekur te perfytyroj se si do evolonte struktura financiare e nje “shteti” te drejte, pra qe gezon vullnetarisht te drejten e prones mbi siperfaqe relativisht te medha toke.

    Dhe ndonese eshte e vertete qe shumica (ndofta derrmuese) e pagesave ne treg jane te llojit lump sum, ka nje pjese jo te vogel qe jane te tipit “tarife e sheshte”. Si shembuj le te mjaftojne shoqerite e sigurimeve (ku pagesa eshte perqidnje e pasurise, e jo shume fikse). Besoj se nje korporate pronare e truallit neser do ngjasoje disi me shume me tregje te tilla se me tregjet ku veprohet ne baze te cmimti fiks. Sigurisht, keto mbeten anliza thjesht teorike sa kohe qe nuk mund te shohim ne praktike se si do vepronte nje “shtet” qe ka per qellim vecse fitimin.

Leave a Reply