Uncategorized

Rritja e TVSh-së: goditje tjetër ndaj ekonomisë së Kosovës

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta rritur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar prej 16% në 19% përbën një goditje tjetër të fortë kundër ekonomisë së Kosovës. Efektet e një politike të tillë janë të shumta dhe i dëmtojnë qytetarët e Kosovës në kapacitetin e konsumatorit si dhe atë të prodhuesit. Këtë hap e kanë kritikuar edhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) bashkë me Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), duke thënë ndër të tjera që rritja e TVSh-së e dëmton “shportën e konsumatorit kosovar, e cila dita ditës është më e vogël”.

Por, çka në lidhje me TVSh-në? TVSh-ja është taksa më e preferuar e qeverive për shkak të efektivitetit të madh në realizimin e saj. Në të njëjtën kohë, TVSh-ja nuk është aq e “dukshme” si taksat tjera në të hyra të cilat i ulin direkt të ardhurat e individëve.

Si vepron TVSh-ja? Qëllimi i TVSh-së është të taksoj vlerën e shtuar të një produkti gjatë gjithë fazave të prodhimit, duke përfunduar kështu tek konsumatori. Në realitet, efekti i TVSh-së nuk e prek vetëm konsumatorin por edhe prodhuesin dhe vepron kështu në faza të ndryshme.

Mendohet se efekti i parë i TVSh-së është rritja e çmimeve si rezultat i rritjes së kostove për bizneset. Bizneset duke u përballur me nevojën për ta paguar taksën, i rrisin çmimet duke ua kaluar taksën kështu konsumatorëve. Edhe pse është e vërtetë që në afat të gjatë TVSh-ja i rritë çmimet, ky shpjegim klasik Rikardian është i gabuar sepse kostot e prodhimit nuk e përcaktojnë çmimin e një produkti; madje disi e kundërta vlen. Çmimi përcaktohet prej sasisë së produktit në treg dhe kërkesës për të. Bizneset mundohen t’i vënë çmimet e shitjes në nivelin më optimal; aty ku të hyrat janë në pikën më të lartë kundrejt kërkesës. Por, nëse kërkesa për produktet e tyre nuk ndryshon, atëherë çdo ngritje e çmimit, pa marrë parasysh arsyen, do të sjellë të hyra më të vogla.

Konsumatori kur blen produkte është indiferent ndaj çështjes nëse paratë e tij i shkojnë biznesit apo shtetit. Si pasojë, bizneset e kanë të pamundur ta “kalojnë”  taksën tek konsumatorët nëpërmes çmimeve sepse kërkesa për produktet e tyre do të binte dhe të hyrat do të largohen nga pika optimale. Po qe se një mundësi e tillë do të ekzistonte, bizneset do t’i kishin rritur çmimet edhe para taksës.

Në janar 2009, Qeveria e Kosovës e rriti TVSh-në për 6,6%, megjithatë çmimet zbriten për 0.2% në shkurt. Edhe kësaj radhe rritja e TVSh-së nuk do t’i rrisë çmimet në afat shkurtë, kjo do të ndodhë më vonë.

Çka ndodhë në të vërtetë është “kthimi” e jo “kalimi” i çmimeve; nga shitësit prapa tek prodhuesit. Taksa nuk i shtohet çmimit, por përkundrazi, i hiqet dhe fitimi neto i biznesit mbetet çmimi minus TVSh prej 19%. Murray Rothbard e merr shembullin e shkëlqyeshëm që shumë njerëz e keqkuptojnë: “Shumë njerëz hutohen nga fakti që çmimi të cilin konsumatorët duhet ta paguajnë e përfshinë taksën. Kur dikush shkon të shikoj një film dhe e sheh të vendosur në tabelën e informacionit që hyrja $1.00 e mbulon një “çmim” prej  85 cent dhe një taksë prej 15 cent, ai ka prirje të mendoj që taksa thjeshtë ju ka shtuar “çmimit”. Por në të vërtetë $1.00 është vetë çmimi, jo 85 cent, kjo e fundit e përbën vetëm fitimin që i takon firmës” (Power & Market, 1978, f. 1158).

Natyrisht, efekti i menjëhershëm i TVSH-së është ulja e të ardhurave për bizneset. Të hyrat e ulëta nënkuptojnë largimin e prodhuesve margjinalë nga tregu duke e zvogëluar kështu sasinë e produktit në treg. Të hyrat e vogla gjithashtu e dekurajojnë zhvillimin e bizneseve të reja. Si rezultat, ulet oferta për produkte dhe kjo e shpjegon rritjen e çmimeve në afat të gjatë.

Nevoja për t’i mbuluar kërkesat për llogaritje dhe regjistrim të hyrave paraqet kosto shtesë të punës. Bizneset zakonisht u shmangen atyre duke u bashkuar vertikalisht me biznese tjera dhe duke krijuar një sistem të përbashkët të përllogaritjeve. Efekti i kësaj është zvogëlimi i konkurrencës në treg.

“Kthimi” i çmimeve ndodh gjatë gjithë fazave të prodhimit deri tek faktorët origjinal; pagat dhe rentat. Si rezultat, në afat të gjatë pagat dhe rentat zvogëlohen, që ndoshta është efekti më negativ i TVSh-së. Ulja e pagave nënkupton standard më të vogël të jetesës sepse më pak të mira dhe shërbime mund të blihen. Për fat të mirë, në Kosovë ndikimi i sindikatave është shumë i ulët. Po qe se sindikatat do të përkraheshin nga shteti për rritjen artificiale të pagave, papunësia do të rritej edhe më tej në mënyrë drastike.

Ulja në paga bëhet edhe më intensive nga fakti që bizneset e ulin kërkesën për fuqi punëtore. Kjo ndodhë sepse ato kërkojnë të “mekanizohen” më shumë duke marrë zbritje në TVSh për makinerinë që e blejnë, kurse këtë nuk mund ta bëjnë për fuqinë punëtore. Rezultati përfundimtar është ngecja në zvogëlimin e papunësisë.

Si përfundim, të gjitha taksat i zvogëlojnë të ardhurat e individëve dhe i rrisin preferencat e tyre kohore. Kjo e bënë pothuajse të pamundshëm kursimin pa të cilin akumulimi i kapitalit dhe investimi është gjithashtu i pamundur. Problemi i përgjithshëm ekonomik në Kosovë është ai i mungesës së kapitalit, kështu që çdo masë që e dobëson zhvillimin e tij është masë që e dëmton qytetarin e Kosovës duke e ulur standardin e jetesës. Do të ishte fatkeqësi sikur qytetarët e Kosovës ta pranonin këtë barrë që shteti i tyre po u vë pa kundërshtim. E pakta që mund të bëjnë është të protestojnë kundër një politike të tillë e cila vetëm sa e varfëron Kosovën më tej.