Uncategorized

“Unioni Ballkanik”: shaka e hidhur apo shenjë e keqe?

Etjon Basha

V 2.0
V 2.0?

Së fundmi Qeveria e Malit të Zi ka hedhur në qarkullim idenë e një “Unioni Ballkanik”, që në pamje të parë ngjan me “Beneluksin Ballkanik” të propozuar prej Fehlingerit dhe Krasniqit në qershor të 2012-ës, e të diskutuar edhe në këtë blog. Më duhet të them “në pamje të parë” pasi pak është bërë publike mbi qëllimet dhe strukturën e këtij Bashkimi – me përjashtim të vendeve të cilat janë ftuar të marrin pjesë, të cilave prej Beneluksit Ballkanik i janë shtuar edhe Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

E megjithatë, edhe me kaq pak sa është bërë e ditur mbi këtë propozim, mund të thuhet që ai ndan vetëm ngjashmëri fare të përcipta me Beneluksin Ballkanik. Vini re që, me aq sa dihet, nuk bëhet fjalë për krijimin e kurrfarë zone të lirë ekonomike mes vendeve të ftuara: nuk është folur për lirinë e plotë të lëvizjes e punësimit, për bashkim doganor e për liri lëvizjeje kapitali (dhe as të mos mendohet fare për bashkëqarkullimin monetar!). Shkurt, nuk u bëka fjalë për ndonjë version rajonal i “4 lirive” të BE-së.

Përkundrazi, ajo që përflitet është për një farë “bashkimi policor” (!!!) dhe për një Kuvend Ballkanik ku secili prej vendeve pjesëmarrëse do delegonte dhjetë përfaqësues. Seriozisht?!

Seriozisht mendohet se Shtetet Shqiptare do kenë ndonjë interes ti hyjnë një bashkimi të hapur politik me nuanca para-ushtarake me fqinjët tanë të dashur, duke i dhënë me çdo gjasë mundësi forcave serbe të hyjnë “nga dera e pasme” në Kosovë? Dhe kjo pa asnjë nga përfitimet e mëdha që integrimi ekonomik do sillte?

Ndofta po flasim para kohe, por nga të dhënat në qarkullim, duket se ky propozim i çuditshëm i Malit të Zi është në kundërshti të plotë me idenë më të kthjellët të EuObserverit (i cili sidoqoftë u hodh poshtë me shpejtësi pas propozimit): aty ku duhet maksimizuar integrimi ekonomik dhe social dhe ruajtur maksimalisht sovraniteti vetjak, flitet për një Jugosllavi të re – e cila ndërkohë paska “shkarë” më në jug për shkak të zgjerimit të BE-së – që asnjë farë tregu të përbashkët nuk synon të krijojë e ku Kuvendi i ri Ballkanik do ketë fuqi të komandoje forca para-ushtarake (të më falet, “policore”) në territoret shqiptare. Dhe sigurisht, çdo gjë në emër të integrimit dhe luftës ndaj krimit.

Por edhe nëse të dhënat që qarkullojnë rezultojnë pjesërisht të rreme, dhe propozimi përfshin edhe krijimin e një tregu të përbashkët, ai sërish mbetet qesharak dhe i pavlerë sa kohë vijon të përmbajë bashkime policore dhe/ose Kuvende të përbashkëta. Nëse jam shprehur disa herë këtu që edhe Bashkimi Kombëtar nuk është zgjidhje optimale në krahasim me Integrimin Kombëtar, po ato argumente marrin fuqi të shumëfishtë kur hidhen ndaj idesë së bashkimit politik me shtete jo-shqiptare dhe me shumë gjasa dashakeqe.

Me siguri që mirësjellja u kërkon qeverive shqiptare të marrin pjesë në këto diskutime. Po me aq siguri, këtyre qeverive as do u shkojë ndër mend për një çast ti hyjnë një aventure të tillë qesharake. Së paku Titoja shkriu doganat dhe sistemet monetare në ’49-ën.

Aty na e prishi mendjen
Aty na e prishi mendjen