Uncategorized

Vlerësimi i gabuar i normës së interesit

Bardhyl Salihu

Kur njëri e pyeti shokun e tij ekonomist për shëndetin e të atit, ekonomisti u përgjigj: “Në krahasim me çka?” Kjo anekdotë është ilustrim i përkryer i ngatërrimit në të cilin e gjejnë vetën analistët në Kosovë kur flasin për normat e interesit.

Është bërë bajat tani thënia që normat e interesit në Kosovë “janë të larta”; thënie që secili analist e përsëritë si papagall duke i shkelur në mënyrë flagrante detyrimet e tij si ekonomist, nëse mund ta quajmë ashtu. Por, ashtu si ekonomisti i cili u përgjigj me pyetje, edhe unë dua t’i pyes këta analistë: “Sa është norma e ‘ulët’ e interesit?”

Detyrimi i wertfreiheit

Ekonomisti qua ekonomist e ka një detyrë dhe vetëm një: ta përshkruaj lidhjen në mes shkaqeve dhe pasojave në sferën e shkëmbimit. Detyra e tij është pozitive, e liruar plotësisht prej gjykimeve normative. Ai duhet ta shpjegoj “çka është” e jo “çka duhet të jetë”. Kjo detyrë shoqërohet me ndalimin e prerë për të bërë vlerësime personale (preferenciale), për shembull, në lidhje me atë se sa “i shtrenjtë” apo “i lirë” është një çmim.

Arsyeja për këtë është e thjeshtë: vetëm individi i cili vepron në mënyrë subjektive mund të bëjë vlerësime për çmimet. Vetëm tek individi ekziston koncepti i “të lirës” apo “të shtrenjtës”; koncept i cili e humb tërësisht kuptimin nëse përgjithësohet në nivel shkencor. Përderisa është e vërtetë që çmimet janë numra kardinalë e objektivë, vlerësimi i tyre mbetet prapë peng i veprimit subjektiv të secilit individ. Mund të vërejmë nga jeta e përditshme, për shembull, që kur dy apo më shumë individë e shohin çmimin e njëjtë, vlerësimi i tyre se a duhet ta blejnë produktin apo jo nuk do të thotë që është gjithashtu i njëjtë. Shpesh për produktet e njëjta me çmimet identike, vlerësimi subjektiv i individëve ndryshon. Unë personalisht mendoj se norma e interesit është shumë e lartë, por një vlerësim të tillë e bëjë subjektivisht si individ e jo si ekonomist.

Çdo vlerësim personal nga ana e ekonomistit do të ishte shkelje flagrante e detyrës së tij për ta mbajtur neutralitetin ndaj vlerës—apo siç njihet në gjermanisht—wertfreiheit. Wertfreiheit (anglisht: value-freedom) është ekuivalenti ekonomik i Betimit të Hipokratit në mjekësi. Wertfreiheit është një “betim” të cilin secili ekonomist e merr përsipër para se ta filloj studimin e shkaqeve dhe pasojave në shkëmbim. Ekonomisti mund të bëjë pohime të thjeshta logjike si “norma e interesit është rritur/zvogëluar” apo “norma e interesit në treg të lirë dallon prej asaj në treg të rregulluar”, por ekonomisti asnjëherë nuk mund t’i kontrabandoj në analizën e tij vlerësimet personale mbi çmimet duke sugjeruar që “norma e interesit nuk është zvogëluar ‘sa duhet’” apo diçka të tillë. Detyra e tij mbetet e natyrës logjike; të bëjë vetëm vlerësime kualitative e jo sasiore.

Ky është gabimi elementar me studimin e normave të interesit. Analistët në vend që t’i mbesin besnik studimit pozitiv të shkaqeve dhe pasojave, bëjnë vlerësime personale mbi atë se sa “e lartë” është norma e interesit në Kosovë dhe si duhet të “ulët”. Të ulët deri në sa? Deri kur duhet të ulët ajo në mënyrë që të mos jetë “e lartë” më? Një vlerësim i tillë është i gabuar nga pikëpamja metodologjike e shkencës sepse është totalisht arbitrar.

Krahasimet e drejta dhe ato të gabuara

Në mënyrë që të bëhen krahasime, është e nevojshme që të ketë një pikë krahasuese. Për shembull, për të pohuar që norma prej 12% e interesit “është e lartë”, ne duhet të kemi një pikë krahasuese me normë interesi “të ulët” ndaj së cilës duhet ta krahasojmë. Ajo pikë krahasuese duhet të jetë e kuptimtë e jo arbitrare. Në shkencën e mjekësisë, për shembull, shkencëtarët kanë ardhur në përfundimin që temperatura normale e trupit të njeriut është 37 gradë celsius. Ky përfundim pastaj i mundëson atyre që pa i shkelur principet metodologjike të shkencës të bëjnë pohime si “temperatura është shumë e lartë” apo “shumë e ulët”, sepse për ta veç ekziston një pikë e kuptimtë krahasuese.

Por, për ekonomistin—veprimtar në fushën e shkencave shoqërore e jo natyrore—kjo është e pamundshme. Në rolin e tij ai nuk mund ta dijë a priori cila “duhet” të jetë norma “e ulët” e interesit në mënyrë që ta marrë atë si pikë krahasuese. A duhet të jetë 10%, 8%, 5%? Pse? Në bazë çfarë kriteresh? Çfarëdo tentimi për ta mbështetur një pikë krahasuese “optimale” apo “të lirë” ndaj të cilave mund të krahasohen normat e interesit i ngjanë tentimeve antike të egjiptianëve për ta matur universin me madhësinë e Piramidës së Keopsit.

Gabimet fillestare shpesh i nxisin gabimet dytësore, gjë që ka ndodhur edhe këtu. Pikë referente janë marrë vendet fqinjë, si Mali i Zi. Por, fakti që Mali i Zi ka norma më të ulëta të interesit thjeshtë e nënvizon që realiteti ekonomik atje dallon prej atij në Kosovë. Është totalisht e pakuptimtë pse Mali i Zi “duhet” të shërbejë si pikë referente për Kosovën. Në Mal të Zi ekzistojnë edhe mijëra çmime tjera që dallojnë nga ato në Kosovë—disa më të lartë disa më të ulët—a duhet që Kosova t’i krahasoj dhe përshtatë të gjitha çmimet me këtë vend? E pse Mali i Zi e jo Shqipëria apo ndonjë vend tjetër? Kjo logjikë e krahasimeve arbitrare na kujton burokratët sovjetikë të cilët në tentim për ta planifikuar ekonominë e tyre të rrënuar, janë orvatur t’i marrin çmimet e vendeve fqinjë në mungesë të mekanizmit të çmimeve në Bashkimin Sovjetik si rezultat i mungesës së tregjeve.

Vetëm individi subjektivisht mund të bëjë vlerësime për normat e interesit si dhe të veprojë në bazë të atyre vlerësimeve. Ekonomisti mund të bëjë me gisht tek shkaqet që qojnë në rritjen e normës së interesit, si për shembull, rrezikut politik apo inflacionit, por ekonomisti asnjëherë nuk mund ta ngritë në nivelin e shkencës një koncept arbitrar dhe personal siç është ideja se sa “të lira” apo “të shtrenjta” janë normat e interesit apo çfarëdo çmimi tjetër.