ekonomi

Mitet e socializmit shqiptar: pjesa e II

Etjon Basha

2. “Regjimi socialist lindi nga një dëshirë e sinqertë për të ndihmuar popullin”.

Ka nga ata nostalgjikë dhe neo-nostalgjikë që, në pamundësi për të mohuar dështimin spektakolar të socializmit në Shqipëri, pretendojnë që së paku qëllimet e udhëheqësve tanë të nderuar qenë të drejta e të ndershme, e ish vetëm zbatimi praktik i mësimeve të Marksit dhe Leninit që na la në baltë.

Sërish, asgjë nuk mund të jetë më larg realitetit.

Mblidhuni burra, shkoi ora e përrallës...
Një herë u piva aq keq…

Kam shkruar më parë në këtë blog mbi atë që dëshmonin veprat e udhëheqjes sonë socialiste, që regjimin e ngriti me dhunë e jo me pjesëmarrjen vullnetare të kujtdo të qe i interesuar. Këtu do përsëris atë argument, në një formë më të zbutur: nëse socialistët tanë kishin bindjen e plotë që regjimi i tyre po ndihmonte popullin shqiptar, përse i druheshin hapjes së kufijve?

Nëse vërtetë kishin aq besim në drejtësinë e masave të tyre, përse i druheshin vendimit faktik të qytetarëve? Përse kanë mbajtur miliona njerëz të mbyllur si bagëti në stallë, edhe pasi u morën aq pak pronë sa kishin? Fundja, shembullin Jugosllav  kishin fare pranë, ndaj udhëheqësit tanë nuk kanë si të mbrohen duke pretenduar që hapja e kufijve  nuk u kish shkuar ndër mend.

Proçesi i printimit të një vize pune
Proçesi i printimit të një vize pune

Fakti është që ndryshe nga qytetarët më naivë që besonin tek qëllimet më të mira të Komitetit Qëndror, vetë udhëheqja socialiste nuk kish kurrfarë iluzioni mbi natyrën e regjimit që kish ngritur: një fermë e madhe ku prodhimtaria e miliona shqiptarëve mund të shtrydhej sa më fort. Modeli nuk kish si të funksiononte për aq sa zgjati nëse kjo stallë e madhe nuk do kish kufij të fortë, pasi në të kundërt një udhëtim i shkurtër jashtë vendit do i dëshmonte çdo shqiptari qëllimet e vërteta të Komitetit Qendror.

Si një socialist i sinqertë, Hoxha nuk do i qe druar hapjes së kufijve: le të zgjidhnin vetë shqiptarët, secili për vete, nëse preferonin Shqipërinë heroike komuniste apo alternativat imperialiste perëndimore ose edhe ato revizioniste lindore. Kush mund ta marrë me mend se ç’rradhë kilometrike do krijoheshin në pikat kufitare ose ambasadat e Republikës Popullore, teksa miliona qytetarë të shtypur të Evropës do kërkonin azil politik në Shqipërinë e Re?

Vito Andolini i pari mes tyre
Vito Andolini i pari mes tyre

Po ti lëmë mënjanë fantazitë naive për një çast do shohim që nën presionin e emigrimit masiv, regjimi socialist kurrë nuk do kish arritur në skajet e tij të mirënjohura, dhe madje do qe vetë-reformuar drejt kapitalizmit pa presion të jashtëm e gradualisht, duke i kursyer shqiptarëve vuajte të tmerrshme.

Por sigurisht, asgjë e tillë nuk ndodhi pasi naivët e fundit që besonin gjysmë-seriozisht tek utopia socialiste u larguan me hir a me pahir prej Partisë së Punës pa u mbyllur mirë Lufta e Dytë Botërore. Mes pretendimeve qesharake të nostalgjikëve dhe neo-nostalgjikëve, ai i sinqeritetit të hamendësuar të socializmit shqiptar është më fëminori.

...po sq shumë, sa vendosa ta bëja Shqipërinë Socialiste
…po aq keq, sa vendosa ta bëja Shqipërinë Socialiste

(vijon…)